Hematologji
HEMATOLOGJIA është dega e mjekësisë që merret me diagnozën, trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve të gjakut, si dhe të organeve hematopoietike, (palcën e kockave, nyjet limfatike dhe shpretka janë më kryesore).
Për të kuptuar më mirë, le të kujtojmë se qelizat e gjakut sintetizohen në palcën e kockave dhe janë të llojeve të ndryshme:
- Rruazat e kuqe të gjakut, të njohura edhe si eritrocitet: roli i tyre është të transportojnë oksigjenin në organet dhe indet e ndryshme të trupit
- Rruazat e bardha e gjakut të quajtura edhe leukocitet: mbrojnë trupin kundër infeksioneve ose pranisë së trupave të huaj. Një dallim bëhet midis monociteve, limfociteve, eosinofileve, basofilëve dhe neutrofileve
- Pllakëzat apo trombocitet lejojnë që gjaku të mpikset dhe, për rrjedhojë, të ndalojë gjakderdhjen
Hematologët vlerësojnë gjendjen klinike të pacientit duke analizuar gjakun, palcën e kockave dhe parametrat laboratorikë, për të përcaktuar shkakun e sëmundjes dhe trajtimin e duhur.
Në varësi të serisë së prekur apo organit ku prodhohet ekzistojnë shume sëmundje gjaku të cilat mund të kenë pasoja të rënda.
Sëmundjet e qelizave të kuqe të gjakut
Anemitë – sëmundje që karakterizohet nga një sasi e qelizave të kuqe të gjakut (eritrociteve) ose e hemoglobinës, inferiore nga norma, duke shkaktuar lodhje, dobësi dhe marramendje.
- Anemitë e fituara – Shkaktuar nga mungesa e hekurit, vitaminave (B12, acid folik), sëmundje kronike ose gjakderdhje
- Anemitë e lindura – Si talasemia dhe sferocitoza, që janë gjendje të trashëguara
Policitemia karakterizohet nga një sasi e tepërt e rruazave të kuqe të gjakut, që mund të rrisë rrezikun e mpiksjes së gjakut.
Hemoglobinopatitë – Sëmundje gjenetike që ndikojnë në strukturën e hemoglobinës, si talasemia dhe anemia drepanocitare.
Aplazia medulare (rënie e prodhimit të qelizave të gjakut nga palca e kockave).
Sëmundjet e qelizave të bardha të gjakut
- Leukopenia (ulje e sasisë së qelizave të bardha të gjakut)
- Leuçemia akute dhe kronike – Sasi e lartë e rruazave të bardha, kancer i gjakut (limfocitet ose mielocitet), që ndikon në imunitetin dhe prodhimin e qelizave të shëndetshme të gjakut
- Limfoma – Kancer i sistemit limfatik, që përfshin Limfomën Hodgkin dhe Limfomën jo-Hodgkin
- Mieloma multiple – Një lloj kanceri që prek plazmocitet dhe shkakton dhimbje kockash dhe dobësim të sistemit imunitar
Sëmundjet e pllakëzave dhe çrregullimet e koagulimit
- Hemofilia – Mungesë e faktorëve të koagulimit, duke shkaktuar gjakderdhje të zgjatura
- Trombocitemi – Prodhim në sasi të shtuar të pllakëzave(trombociteve) që rrit rrezikun për mpiksje gjaku
- Trombocitopenia – Prodhim në sasi të pakët të pllakezave që rrit rrezikun për hemoragji
- Sëmundja e von Willebrand – Çrregullim i trashëguar që ndikon në mpiksjen e gjakut
Procedura Diagnostike në Hematologji
- Biopsia e palcës së kockave – Përdoret për diagnozën e leuçemisë, limfomës dhe sëmundjeve të tjera të palcës së kockave
- Aspirimi i palcës së kockave (Mielograma) – Analizë për të studiuar qelizat hematopoietike dhe për të identifikuar çrregullime të ndryshme të gjakut
Trajtimi i sëmundjeve hematologjike përfshin transfuzione gjaku, terapi me medikamente (kortikosteroide, imunoterapi, kimioterapi), trajtim me faktorë të koagulimit dhe në raste të caktuara, transplant të palcës së kockave.